Aleatët braktisin presidentin e Afrikës së Jugut

04/04/2017 00:00

Për presidentin e Afrikës së Jugut, Jacob Zuma janë shtuar telashet, pasi Sindikata e fuqishme e Tregtisë “Cosatu” kërkoi dorëheqjen e tij.

Zyrtarë të sindikatës, një aleate e Zumës deri së fundmi, thanë se ai nuk ishte më njeriu i duhur për të udhëhequr vendin. Sikur të mos mjaftonte kjo, veteranët e luftës antiaparteid i kërkuan partisë qeverisëse “ANC” që të tërheqë presidentin, pasi ai nuk përfaqëson më askënd.

Presioni ndaj Zumës vazhdon prej muajsh, por u shtua tej mase pas ndryshimeve të fundit në kabinet, sidomos pas shkarkimit të ministrit të Financave, Pravin Gordhan, një njeri shumë i respektuar në vend. Menjëherë pas kësaj lëvizjeje, agjencitë ndërkombëtare zhvlerësuan ekonominë afrikano-jugore në nivelin “junk”, apo “mbeturinë”.

Sindikata e Tregtisë, e cila ka 1.8 milionë anëtarë dhe është vendimtare në zgjedhje, tha se vendimi i saj për t’i kërkuar dorëheqjen Zumës u mor pasi ky i fundit nuk konsultoi askënd për ndryshimet në kabinet. Sipas sindikatës, lidershipi i Zumës është i pakujdesshëm, neglizhent dhe dëmtues.

Analistët thonë se klima politike në Afrikën e Jugut është tensionuar tej mase, pasi, pavarësisht humbjes së madhe të mbështetjes dhe protestave që nuk mungojnë kundër tij, Zuma vazhdon të mbajë postin. Sipas tyre, ai duhej të kishte lënë postin prej kohësh, që kur Gjykata Kushtetuese tha se shkeli ligjin duke përdorur fonde shtetërore për shtëpinë e tij, por Zuma vazhdon të rezistojë dhe të dëmtojë edhe më shumë ekonominë e brishtë të Afrikës së Jugut.

Top Channel