Manovrat ushtarake, “Politico”: Thaçi të përfshijë edhe pakicën serbe

04/04/2017 00:00

Me muret e saj rezistente ndaj shpërthimeve, telat me gjemba dhe kullat e vrojtimit të gjelbëruara, kampi i ngritur në lindje të Kosovës ngjason me një bazë ushtarake, por nuk është ende e tillë.

Kampi është një bazë trajnuese për Brigadën e Reagimit të Shpejtë “Newborn”, pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës të armatosur lehtë, përgjegjësitë kryesore të së cilës janë përgjigjja në raste fatkeqësish apo çminimi.

Por gjatë javëve të fundit, presidenti Hashim Thaçi ka ndërmarrë nismën për të nxitur transformimin e kësaj force në një ushtri me të drejta të plota, pavarësisht kundërshtive ndaj planit të tij nga Serbia fqinje, por edhe aleatëve perëndimorë.

Pas një presioni intensiv nga Perëndimi, Thaçi duket se është tërhequr…të paktën për momentin. Por çështja mbetet ende e pazgjidhur dhe përçarëse njëkohësisht, me potencialin për të shtuar tensionet mes shumicës së etnisë shqiptare dhe pakicës serbe, si dhe për të përkeqësuar marrëdhëniet e tendosura mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri tani, forca ushtarake e vetme në Kosovës është ajo e 4.500 paqeruajtësve të NATO-s, një trashëgimi e fushatës së bombardimeve të aleancës në vitin 1999 për t’i dhënë fund represionit serb ndaj shqiptarëve etnikë.

Thaçi thotë se ka ardhur koha që 1.8 milionë banorët e Kosovës të kenë ushtrinë e tyre, plot 9 vite pasi vendi shpalli pavarësinë nga Serbia.

“Ky proces nuk mund të pengohet më”, është shprehur Thaçi për “Politico” nga zyra e tij në Prishtinë, dikur udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka luftuar ndaj forcave serbe gjatë luftës. “Jemi një vend i pavarur dhe sovran dhe nuk mund të lejojmë Beogradin, apo këdo tjetër, që për çështje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës të kenë të drejtën e vetos, pikërisht siç është edhe çështja e ushtrisë. Ne nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak nga shtetet e tjera: vetëm të kemi ushtrinë tonë”.

Gjithsesi, analistët ngrejnë pikëpyetje mbi efektshmërinë e një ushtrie të një nga vendeve më të varfra të Europës, ndërsa shkojnë më tej duke sugjeruar se Thaçi mund të jetë duke e përdorur këtë çështje për të forcuar pozitat e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e ka kontrolluar prej krijimit, dhe për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lëvizja e Thaçit vjen në një kohë tensionesh në rritje në Ballkan, veçanërisht mes Kosovës dhe Serbisë, me këtë të fundit që aspiron t’i bashkohet Bashkimit Europia, por njëkohësisht po forcon marrëdhëniet me Moskën.

Gjakrat u nxehën në janar, pasi Beogradi nisi një tren me destinacion Mitrovicën, në veri të Kosovës, të mbuluar nga slogani “Kosova është Serbi” i shkruar në rreth 20 gjuhë të botës. Treni u ndal përpara se të mbërrinte në kufi, por incidenti nxiti zyrtarët e të dyja kaheve të kufirit të përshkallëzonin retorikën ushtarake. Arrestimi në janar dhe mbajtja ende në liri me kusht në Francë e udhëheqësit të “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Ramush Haradinaj, bazuar mbi një urdhërarrest serb “ushqeu” edhe më shumë inatin në Beograd.

Ndërkohë, edhe gjykata e re (Gjykata Speciale) që do të gjykojë “krimet e luftës” të pretenduara se i kanë kryer krerët e forcave guerrile e që pritet të japë vendimet e para në qershor, shihet me pakënaqësi. Në samitin e muajit të kaluar, udhëheqësit e BE-së e përshkruan situatën në rajon si “të brishtë”.

Nisma e Thaçit ka shumë popullaritet brenda kufijve të Kosovës, duke parë që rreth 90% e popullsisë e përkrahin krijimin e ushtrisë. Por kjo e vendosi kreun e shtetit në një kurs përplasjeje me aleatët perëndimorë, që e ndihmuan të bëhej nga një udhëheqës lufte në një burrë shteti, ndërsa e kthyen Kosovën nga një shtet nën protektoratin e OKB-së në një shtet të pavarur, tashmë të njohur nga mbi 100 shtete, edhe pse ende jo nga Serbia dhe aleati i saj më i madh, Rusia.

Në një paralajmërim të hapur të pazakontë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca mund të detyrohet të “rishikojë nivelin e angazhimit” ndaj Kosovës, nëse Thaçi vijonte më tej me planet e tij.

Vendet e Perëndimit që e kanë njohur Kosovën nuk e kundërshtojnë formimin e ushtrisë në vetvete, teksa ndihmuan në hartimin e një plani për transformimin e FSK-së plot 3 vite më parë. Por ata janë alarmuar nga mënyra që ka propozuar Thaçi për mbarëvajtjen e gjërave.

Aleatët perëndimorë të Kosovës kërkojnë që ushtria të krijohet përmes amendimeve kushtetuese, gjë që do të kërkonte miratimin nga 2/3-tat e parlamentarëve kosovarë, si dhe nga 2/3-tat e 20 deputetëve që përfaqësojnë pakicat etnike, 10 prej të cilëve janë serbë. Mirëpo Thaçi propozoi shmangien e kësaj kërkese, duke iu mohuar efektivisht minoriteteve veton. Ai planifikoi të ndryshonte ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke rritur kapacitetet e saj dhe duke ndryshuar mandatin e saj nga një forcë civilësh në një forcë ushtarake. Ai madje “kërcënoi” se do të jepte dorëheqjen, nëse Parlamenti nuk do të votonte për këtë çështje, duke thënë se “nuk dëshiron të udhëheqë një vend, që nuk voton në favor të krijimit të ushtrisë së tij”.

Por Shtetet e Bashkuara, një prej “padronëve” më të rëndësishëm të Kosovës, paralajmëruan se çdo ndryshim mandati pa marrëveshje me pakicën serbe “do të na detyrojë të rishikojmë dhe rivlerësojmë ndihmën tonë afatgjatë ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

E tashmë, pas vizitës së javës së kaluar nga Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, Thaçi duket se e ndryshoi tonin e tij, duke thënë se do të përpiqet gjithsesi të formojë ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Shumica e serbëve në Kosovë e perceptojnë ushtrinë e re të propozuar, që do të dominohet kryesisht nga shqiptarët, si një kërcënim, të paktën kështu thotë deputeti serb Nenad Rasiç. “Plagët janë ende të freskëta, e për t’i shëruar ato, neve na duhet më shumë kohë”, tha ai në Graçanicë, një enklavë me shumicë serbe rreth 10 kilometra larg kryeqytetit të Prishtinës.

Megjithatë, Thaçi këmbëngul se ushtria, e cila do të ketë 5.000 ushtarë dhe 3.000 rezervistë, do të jetë një forcë shumetnike duke përfshirë serbët, dhe se nuk do të përbëjë aspak kërcënim për sigurinë në rajon. Ai shtoi se shpreson që ushtarë nga Kosova dhe nga Serbia të mund të bëhen partnerë në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse.

“Ne nuk po krijojmë një ushtri për t’i shpallur luftë dikujt. Ajo do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe do të mbrojë dinjitetin dhe jetët tona”, tha ai. “Kosova do të bëhet eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit për këdo”.

Top Channel