Athinë, pensionistët protestojnë kundër shkurtimeve të radhës

04/04/2017 00:00

Mijëra grekë të moshuar kanë protestuar në Athinë të martën, kundër reduktimeve të mëtejshme të pensioneve, ndërsa Greqia me arka thuajse të zbrazura vazhdon bisedimet me huadhënësit për masa të mëtejshme kursimi dhe reforma aspak popullore në punësim.

Reduktimi i pensioneve ka qenë një nga elementët kryesorë të përpjekjes për kursim, që i ka garantuar vendit të zhytur në borxhe ndihma financiare nga huadhënësit.

Qeveria tani po negocion të tjera reduktime, për të marrë edhe një paketë tjetër shpëtimi prej 86 miliardë eurosh. Ato do të përbënin edhe reduktimin e 12 të pensioneve në 7 vite, një problem jo i vogël ky për kryeministrin e majtë, partia “Syriza” e të cilit premtoi se do të luftonte reduktimet kur mori pushtetin në vitin 2015.

Pensionistët protestues thanë ndërkohë se, me pensionet e tyre mbanin edhe pjesëtarët e papunë të familjeve të tyre dhe shpesh detyrohen të kursejnë edhe për ushqimin, pas kaq shumë reduktimeve.

“Me përjashtim të atyre që nuk munden fizikisht, të gjithë duhet të dalin në rrugë, sepse është e sigurte që do të na i ulin pensionet. Kjo është varfëri, ne mendohemi dy herë edhe për të blerë kos”, tha një pensioniste.

“Mjaft! Çfarë mund të themi më. Na ka ardhur në majë të hundës. Na kanë vjedhur dhe varfëruar. Tani mjaft!”, tha një tjetër pensioniste.

Në një nga parullat që protestuesit mbanin në duar shkruhej “Mos prisni pensionet, shkoni prisni gurmazin tuaj”.

Top Channel