Porta e Guliverit, ekspozita më e madhe e miniaturave në botë, u çel për publikun në “Times Square” të Nju Jorkut, mes entuaziazmit të atyre që janë munduar aq shumë për realizimin e figurinave dhe atyre që shijojnë rezultatin e kësaj pune.

Bota në miniaturë shtrihet në një sipërfaqe prej 4.552 metrash katrorë dhe propozon të mbulojë 5 kontinente. Projekti 40 milionë dollarësh përmban minikopjet e mbi 300 objekteve ikonë të globit, përfshirë “Grand Central Terminal”, Kullën “Eiffel”, Katedralen e Shën Bazilit, e të tjera.

“Porta e Guliverit është një botë interaktive në miniaturë, e cila ofron një eksperiencë unike dhe të ndryshme nga të gjithë të tjerat. Ka përmasat e një blloku të qytetit dhe nxjerr në pah elementët më të spikatur nga e gjithë bota. Në të është mishëruar vizioni i më shumë se 600 artistëve, miliona orë pune dhe teknika nga shumë pjesë të globit”, tha Michael Langer, drejtues i projektit.

Veç të tjerash, vizitorët kanë mundësinë të kalojnë në një skaner 3D, ku mund të krijojnë edhe një figurinë të vogël të vetes, të cilën pastaj kanë mundësinë ta vendosin ku të dëshirojnë në hapësirën e Portës së Guliverit.

“Kjo është një minibotë në paqë, – thonë ideatorët e saj, – ku nuk ka luftra, nuk ka terroristë, nuk ka protesta apo kampe refugjatësh, por ka vetëm njerëz që shohin punën e tyre dhe admirojnë bukuritë që ajo ofron”.

Top Channel