Këmbëngulja e Gjorgje Ivanov për të mos mandatuar liderin e opozitës Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni ka shtyrë nismën “Iniciativa Megafon” të kërkojë dorëheqjen e tij.

Për këtë qëllim është organizuar një peticion online, përmes të cilit synohet mbledhja e firmave për largimin e Ivanov, që sipas nismës në fjalë ka shkelur Kushtetutën dhe po e shtyn vendin drejt paqëndrueshmërisë e problemeve, duke penguar kalimin paqësor të pushtetit.

Presidenti maqedonas nuk ndryshoi qëndrim as pas vizitës së zyrtarit më të fundit europian që i përcolli fortë dhe qartë mesazhin e bllokut për zgjidhje të krizës, duke i dorëzuar mandatin shumicës së re parlamentare.

Thirrja e kreut të Këshillit Europian për t’u treguar një burrë i vërtetë shteti ra në vesh të shurdhër, bashkë me apelin e tij për unitet.

“Shpresoj të ndiqni këtë rrugë dhe të shmangni gjithçka që do të rindizte tensionet etnike”, u shpreh Tusk, duke shtuar se kriza e vazhdueshme po e pengon Maqedoninë të ecë drejt rrugës euro-atlantike.

Por Ivanov ka zgjedhur të mos reflektojë ndaj këmbënguljes së bllokut europian. Ai përsëriti sërish akuzat për përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë, duke thënë se platforma e Tiranës po acaron raportet ndëretnike; se kërkohet ndryshimi i Kushtetutës dhe se po manipulohen qytetarët me çështje jashte Marrëveshjes kornizë të Ohrit.

Top Channel