Lahm pas futbollit, biznesmen

04/04/2017 00:00

Philip Lahm largohet nga futbolli i luajtur në fund të sezonit. Kapiteni i Bayernit të Mynihut, tashmë në moshën 33-vjeçare i ka idetë e qartë për atë çfarë do të bëjë në të ardhmen e tij ku jo pak herë është përfolur për mundësinë që Lahm të marrë rolin e Drejtorit Sportiv të klubit bavarez.

Por Lahm, nuk e ndjen veten të përgatitur plotësisht për një detyrë të tillë dhe theksoi se fillimisht ai do të kërkojë të fitojë eksperiencë në firmën e familjes së tij.

“Ideja e parë imja është që të marr pushimet dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë pas finales së Ligës së Kampioneve në 3 qershor në Kardif. Dua të shkëputem për pak kohë nga gjithçka dhe të rifitoj energjitë. Më pas do t’i dedikohem sipërmarrjes. Do të më pëlqente që të përfshihesha më shumë në çështjet e klubit, por nuk e kam ende mentalitetin e një drejtuesi të lartë, edhe pse e di sesi funksionon bota e futbollit. Ajo që dua të bëj tani është të shoh sesi funksionion një biznes që nuk ka lidhje me këtë sport dhe unë mund ta bëj këtë fare mirë në kompaninë time”, tregon Lahm në një intervistë për të përditshmen ‘La Repubblica’.

Top Channel