Siri, sulm kimik mbi Idlib. Të paktën 58 të vdekur

04/04/2017 00:00

Besohet të ketë qenë një sulm kimik, ai që shkaktoi vdekjen e gati 60 personave dhe dëmtimin e dhjetëra të tjerëve në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se sulmi i trupave qeveritare dhe avionëve rusë në Khan Sheikhoun u ka krijuar njerëzve ndjesinë e mbytjes. Pas tij është qëlluar me raketa edhe ndaj klinikave lokale, ku po merrnin trajtim mjekësor disa prej të lënduarve.

Regjimi sirian e ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike, por nëse ky rast konfirmohet, ai do të përbëjë njërin prej sulmeve më të rënda të këtij lloji, që prej fillimit të luftës civile në Siri 6 vite më parë.

Mjekët e mbërritur në vendngjarje me 3 autoambulanca rrëfejnë se i kanë gjetur njerëzit të shtrirë nëpër rrugë, duke marrë frymë me zor.

“Spitalet janë tejmbushur”, i tha BBC-së njëri prej tyre, Mohammed Rasoul. “Situata është shumë e keqe, – shtoi ai, – dhe shumica dërrmuese e atyre që po vuajnë janë fëmijë”.

Sipas Rasoulit, të vdekurit mbërrijnë në 67 dhe të lënduarit mbi 300, ndërsa agjencia proopozitare e lajmeve “Step” e vendos në 100 bilancin e viktimave.

Provinca e Idlibit kontrollohet në pjesën më të madhe të saj nga një aleancë fraksionesh rebele dhe grupit xhihadist të lidhur me Al Kaedën, Hayat Tahrir al-Sham. Kjo është arsyeja përse rajoni shënjestrohet rregullisht, sa nga mësymjet ajrore të qeverisë siriane dhe aleates së saj, Rusisë, aq edhe nga bombardimet e koalicionit shumëkombësh anti-ISIS.

Top Channel