Atentatori i Shën Pjetërburgut, një 22-vjeçar nga Kirgizstani

04/04/2017 00:00

Personi i dyshuar për shpërthimin mes dy stacioneve të metrosë në Shën Pjetërburg të hënën, që mori 14 jetë njerëzish, është një 22-vjeçar nga Kirgizstani, i cili kishte marrë nënshtetësinë ruse e besohet të ketë qenë në kontakt me luftëtarët sirianë.

Shërbimet kirgize të Sigurisë e identifikuan atë si Akbarzhon Jalilov. Trupi i copëtuar i ish-shefit të sushit konfirmoi dyshimet se bëhej fjalë për një akt vetëvrasës. Sipas ekspertit të sigurisë, Sajjan Gohel i “Asia-Pacific Foundation”, shpërthimi mund të ketë qenë një sulm i koordinuar terrorist.

“Në këtë pikë them se mund të supozojmë pa frikë, që gjendemi përballë një akti dhune me sfond politik, në të cilin përdoret një mekanizëm shpërthyes i perceptuar të shënjestrojë e të vrasë. Tani duhet ende të përcaktohet sfondi ideologjik, por mbështetur në faktet që disponojnë autoritetet, duket se ky mund të ketë qenë një sulm i mirëkoordinuar, që bart të gjitha shenjat e mundshme të goditjes së një grupi terrorist transnacional”, tha Sajjan Gohel, nga “Asia-Pacific Foundation”.

Autoritetet në Shën Pjetërbug shpallën 3 ditë zie në nder të viktimave. Presidenti Vladimir Putin, që në fund rezultoi se ka qenë në qytet gjatë shpërthimit, vizitoi vendin e ngjarjes mbrëmjen e së hënës e vendosi lule.

Si hetuesit rusë, ashtu dhe kryeministri Dmitry Medvedev e konsiderojnë episodin “një akt terrorist”, por shumë pak detaje jepen nga hetimi.

Udhëheqësit botërorë kanë nxituar ta dënojnë aktin tronditës të dhunës. Presidenti Donald Trump foli në telefon me Putinin dhe ofroi mbështetje të plotë për nxjerrjen përpara drejtësisë të personave përgjegjës.

Kancelarja Angela Merkel e përshkroi episodin si një “akt barbar”, ndërsa shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini tha se mendimet e Europës janë në këto momente me popullin rus.

Plot 49 persona mbetën të plagosur nga sulmi që tronditi qytetin e dytë më të madh të Rusisë. Fillimisht u fol për dy shpërthime, njëri në “Sennaya Ploshchad” dhe tjetri në stacionin e Institutit Teknologjik, por më pas u konfirmua se ka qenë vetëm një i tillë, dhe ka ndodhur pikërisht mes dy stacioneve.

Pas sulmit në Shën Pjetërburg, Franca e përballur me një sërë sulmesh me sfond terrorist kohët e fundit, përforcoi ndjeshëm sigurinë e transportit publik në kryeqytet.

Top Channel