Një megastrukturë me themele në hapësirë

04/04/2017 00:00

Misioni Rosetta i Agjencisë Hapësinore Europiane, ku u ul për herë të parë një sondë në një asteroid që orbiton rreth Tokës, ka shfrenuar imagjinatën e një studioje arkitekturore.

“Clouds Architecture” prezantoi projektin më guximtar, që edhe vetë e pranon se për disa shekuj vështirë se është i realizueshëm. Bëhet fjalë për ndërtimin e një “qiellgërvishtësi”, ose më saktë “tokëgërvishtës”, themelet e të cilit do të jenë tek një asteroid 50 mijë kilometra larg Tokës.

“Historia provon se njerëzimi ka tejkaluar sfida edhe më të mëdha se kjo dhe ndërtimi i një shumëkatëshi me kokë poshtë, nuk mund të jetë vetëm një ëndërr”, thotë kjo studio.

Sipas “Clouds Architecture” në të ardhmen njerëzimi do të jetë në gjendje që të kapë dhe kontrollojë lëvizjet e asteroidëve. Pikërisht në këtë moment mund të vihet në zbatim koncepti i tyre i ndërtesave të lidhura me kavo çeliku dhe përforcues të tjerë me trupin qiellor.

Studio e ka marrë seriozisht këtë ide, aq sa ka hartuar deri në detaje projektin, përfshirë ndriçimin, ujin, ngrohjen dhe gjithë kushtet e tjera që nevojiten për të banuar, apo ushtruar një aktivitet normal në një shtëpi a zyrë.

Ndriçimi dhe ngrohja do të sigurohen nga panele diellore që do të jenë në “tarracën” e ndërtesës, pra rreth 50 mijë kilometra lartësi. Në këtë lartësi, panelet mund të manovrohen që të ushqehen vazhdimisht nga rrezet diellore.

Uji do të sigurohet nga retë që godina do të kalojë gjatë lëvizjes së saj, sipas trajektores së përcaktuar të asteroidit, ndërkohë që në katet mbi 32 kilometra, kushdo që dëshiron të dalë në ballkon, do t’i duhet të veshë një kostum të posaçëm për shkak të mungesës së oksigjenit dhe temperaturave ekstreme.

Në projektidenë e “Clouds Architecture”, më fatlumët duket se do të jenë ata që do të banojnë në katet e sipërme (nëse merret nga toka dhe të poshtme nëse matet nga asteroidi), për të cilët dita do të jetë 45 minuta më e gjatë sesa e rezidentëve poshtë tyre.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel