Thaçi: S’ka viza pa demarkacionin me Malin e Zi

04/04/2017 00:00

Presidenti Hashim Thaçi, në një bashkëbisedim me gazetarët kërkoi nga koalicioni qeverisës që të kalojnë në Kuvend sa më parë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se ngritja e shoqatës së komunave serbe duhet të arrihet edhe si masë për t’u heshtur kritikët që akuzojnë Prishtinën se nuk implementon marrëveshjet me Beogradin.

Një tjetër çështje e ndjeshme e që në Kuvend nuk po kalon dot është ajo e demarkacionit kufitar me Malin e Zi. Presidenti Thaçi e bëri të qartë se nuk ka liberalizim vizash pa kalimin e tij.

“Nëse nuk ndodh kalimi i demarkacionit në Kuvend, nuk ka liberalizim vizash. Unë vlerësoj se Kosova do të vonohet me vite nëse nuk kalon demarkacioni”, tha ai, duke u shprehur i gatshëm që të bisedojë edhe me opozitën për këtë çështje.

“Vizat janë për të gjithë qytetarët, jo vetëm për pozitën apo për opozitën, ndaj dhe duhet që të bashkohet opozita”, shtoi ai.

Lidhur me ngritjen e ushtrisë, Thaçi shprehu bindjen se ajo do të ngrihet dhe se do të jetë multietnike. 

Top Channel