Hakerat rusë sulmojnë Atletikën

03/04/2017 00:00

Federata Ndërkombëtare e Atletikës është goditur nga një sulm kibernetik që ka kompromentuar informacionet mjekësore dhe dosjet e analizave të mijëra sportistëve.

Grupi i hakerave rusë me pseudonimin “Fancy Bears” besohet se fshihet pas sulmit që ka vjedhur detaje nga trajtimet terapeutike dhe me shumë gjasa edhe të përdorimit të substancave të ndaluara.

Një dosje në fjalë me emrin “Therapeutic Use Exemptions” përdoret nga federatat sportive dhe organizatat antidoping, për të lejuar disa atletë me nevoja mjekësore, që të përdorin hormone dhe substanca që nëse zbulohen para dhe pas garës, cilësohen shkelje.

Federata Ndërkombëtare e Atletikës e cilësoi këtë një sulm serioz dhe të fokusuar pikërisht në dosjet që përmbajnë informacion të klasifikuar.

“Fancy Bears” nuk pranuan të komentojnë mbi vjedhjen e të dhënave, por i njëjti grup vitin e kaluar publikoi detaje konfidenciale mjekësore të qindra sportistëve. Mes tyre ishin fituesi i 2012 në Turin e Francës, Bredli Uigins që është dhe britaniku me më shumë medalje olimpike në histori.

Top Channel