Erdogan: Turqit të sfidojnë “nipat e nazistëve”

03/04/2017 00:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nuk ndalet, teksa i ka kërkuar së fundmi zgjedhësve turq në Europë të sfidojnë “nipat e nazistëve” dhe të mbështesin referendumin e këtij muaji mbi ndryshimet kushtetuese.

“Unë u kërkoj vëllezërve tanë në Europë…kanë mbetur edhe 7 ditë. Gjithçka po shkon mirë për momentin. Shumë njerëz po votojnë. Numri i votave është më i lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit, por le të jetë edhe më i lartë. Jepini përgjigjen e merituar nipave të nazizmit, që kanë imponuar shtypjen fashiste, duke votuar po”, tha Erdogan.

Këto komente të fundit të tij pritet të shkaktojnë edhe më shumë zemërim në Europë. Erdogani, në mënyrë të përsëritur ka sulmuar vendet europiane, përfshirë Gjermaninë, gjatë fushatës, duke i akuzuar për taktikat e tyre naziste pas ndalimit të ministrave të tij që të flisnin në tubimet me zgjedhësit turq jashtë vendit.

Gjermania është zemëruar jo pak për referencën ndaj së kaluarës së saj, e Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se kjo duhet të ndalet. Në fjalimin e mbajtur në provincën Rize, në Detin e Zi, Erdogani tha po ashtu se Turqia do të rivlerësojë procesin e anëtarësimit në BE pas referendumit.

Top Channel