Sulmi në metro, Antiterrori: Gjendet dhe çaktivizohet një tjetër bombë

03/04/2017 00:00

Komiteti Kombëtar Antiterrorizëm i Rusisë ka njoftuar se një bombë është gjetur dhe çaktivizuar në një tjetër stacion metroje në Shën Pjetërburg.

Shpërthimi i pasdites së kësaj të hëne ndodhi brenda një treni të metrosë së qytetit, duke lënë të paktën 10 të vdekur dhe rreth 50 të plagosur, siç tha zëdhënësi i guvernatorit të qytetit për televizionin rus. Shpërthimi ndodhi teksa presidenti rus Putin ishte duke vizituar qytetin, njëkohësisht vendlindja e tij.

Putin, duke folur nga Pallati “Constantine” në Shën Pjetërburg, tha se hetuesit po hetonin nëse shpërthimi është një sulm terrorist, apo nëse ka pasur tjetër shkak. Ai ngushëlloi gjithashtu familjet e viktimave.

Ende askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e shpërthimit. Një pajisje e paidentifikueshme shpërthimi u aktivizua në orën 14:20 në trenin që po largohej nga stacioni i Institutit Teknologjik me destinacion stacionin e sheshit “Sennaya”, sipas asaj që thotë Komiteti Kombëtar Antiterrorist.

Metroja e qytetit u mbyll menjëherë në të gjitha stacionet, ndërsa trupa kombëtare e antiterrorizmit tha se do të përforcohen masat e sigurisë në të gjitha mjediset kryesore të transportit anembanë Rusisë. Maxim Liksutov, zv.kryebashkiaku i Moskës tha për “Interfax” se autoritetet moskovite shtuan sigurinë në metronë e kryeqytetit rus.

Shën Pjetërburgu, qyteti i dytë më i madh i Rusisë me mbi 5 milionë banorë, është destinacioni më popullor i turistëve. Dy stacionet e prekura nga kjo ngjarje rezultojnë të jenë ndër më të ngarkuarit në përditshmëri.

Putin ishte në Shën Pjetërburg për të zhvilluar bisedime me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko. “Agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet sekrete po bëjnë gjithçka munden për të përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe për të bërë një panoramë të qartë të asaj që ndodhi”, tha Putin në fillim të bisedës me Lukashenkon.

Guvernatori i Shën Pjetërburgut, Georgy Poltavchenko mbikëqyri përpjekjet për shpëtim të të plagosurve. Ambientet ruse të transportit kanë rënë edhe në të kaluarën prè e sulmeve terroriste.

Dy bomba të shpërthyera nga kamikazët në metronë e Moskës në mars të vitit 2010 lanë 40 të vdekur dhe plagosën mbi 100 të tjerë. Udhëheqësi i rebelëve çeçenë, Doku Umarov mori përgjegjësinë e atij sulmi, të kryer nga dy femra, duke paralajmëruar udhëheqësit rusë se “pranë qyteteve të tyre do të ketë luftë”. Treni i shpejtësisë së lartë Moskë-Shën Pjetërburg u sulmua edhe më 27 nëntor të vitit 2009, kur humbën jetën 26 persona dhe rreth 100 të tjerë u plagosën. Edhe për këtë sulm thuhet se urdhërues ka qenë grupi i Umarovit.

Top Channel