Hakerat ruse sulmojnë IAAF

03/04/2017 00:00

Hakerat rusë janë kthyer në një problem në çdo aspekt dhe sporti nuk bën përjashtim. Këtë radhë është Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) ajo që ka shfaqur shqetësimin për sulmet kibernetike të ardhura nga Evropa Lindore.

Në një komunikatë për shtyp, IAAF deklaroi se grupimi i hakerave “Fancy Bear”, në muajin shkurt ndërhyri në sistemin e saj, duke zbuluar të dhëna për atletët që kishin përdorur për qëllime kurimi, substanca të cilat janë të përfshira në listën e lëndëve të ndaluara të WADA-s.

Sipas saj, nuk dihet se si është kryer sulmi kibernetik, por ai është një tregues i vërtetë se hakerat kishin të drejtë hyrjeje në sistem dhe arritën të sigurojnë të dhënat që kërkonin. Për momentin, nuk ka asnjë koment nga grupimi “Fancy Bear”, që edhe më parë është përfolur për sulme kibernetike.

Vitin e kaluar ky grupim kishte hyrë në bazën e të dhënave të Agjencisë Botërore Antidoping, duke zbuluar dhjetëra emra sportisësh që kishin përdorur substanca të ndaluara për qëllime kurimi, sigurisht me miratimin e mjekëve, mes të cilëve shfaqeshin emrat e Serena e Venus Williams, Simone Biles, Bradley Wiggins apo Rafael Nadal.

Për tu theksuar është se IAAF, duke u bazuar te raporti i WADA-s për skandalin e dopingut në Rusi, përjashtoi atletët e këtij vendi nga Lojërat e Rios, ndërkohë që ata me shumë mundësi do të mungojnë edhe në Botërorin e Atletikës që do të zhvillohet në Londër.

Top Channel