Shkup, Tusk pritet të takohet me Ivanovin për krizën politike

03/04/2017 00:00

Kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk mbërrin sot në Shkup për një vizitë të shkurtër disaorëshe, gjatë së cilës do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, ndërsa në axhendën e tij nuk parashikohen takime me përfaqësues të partive politike.

Temat qëndrore të diskutimeve pritet të jenë kriza e emigrantëve dhe ajo politike, që ka përfshirë vendin duke u kthyer në shqetësim për bllokun europian.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev shpreson që gjatë kësaj vizite të ketë presione të reja ndaj presidentit.

“Besoj se mesazhet e tij do të jenë në të njëjtën frymë me atë çfarë kemi dëgjuar nga e gjithë bota demokratike gjatë ditëve dhe muajve të kaluar, e që ka të bëjë me transferimin e shpejtë të pushtetit, ndryshimin e pushtetit, respektimin e Kushtetutës dhe të shumicës parlamentare”, citohet të ketë thënë udhëheqësi i opozitës maqedonase.

Nuk dihet, megjithatë, sesa ndikim do të ketë kjo vizitë tek Ivanovi, i cili mori në Shkup mesazhe të forta edhe nga Federica Mogherini e Johannes Hahn, por nuk bëri asgjë për të zgjidhur ngërçin e zgjatur politik.

Top Channel