Johannes Hahn e uroi Aleksandar Vuçiçin për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe, përmes një mesazhi në “Twitter”, i tregoi se pret bashkëpunim të mirë me të, si “miq dhe partnerë”. Por Komisioneri europian i Zgjerimit i kujtoi se duhet ta shfrytëzojë me maturi pushtetin që po i jepet.

Ai shtoi se, beson në zotimet e njeriut që do të marrë në duar frerët e shtetit serb për respektim të plotë të Kushtetutës. Ekspertët flasin për një betonim të sundimit të Vuçiçit në Serbi, të paktën deri në vitin 2022.

Vitin e ardhshëm mbahet beteja për Beogradin, pra zgjedhjet për kryetar bashkie, ku demokratët kanë më shumë mundësi. Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Vuçiç të organizojë edhe në Beograd zgjedhje të parakohshme, me qëllimin që të shfrytëzojë momentin.

“Opozita serbe nuk ka ndonjë udhëheqës të fortë”, i tha “Deutsche Welle”-s Erik Gordi, profesor në Kolegjin Universitar të Londrës. Politikani dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Sasha Jankoviç gëzon aktualisht mbështetjen më të madhe. Ndërsa kandidati kontrovers, komediani Beli Preletaçeviç, që nuk ofron kurrfarë programi, ka mbledhur rreth vetes të rinjtë, ndonëse as ata vet nuk e dinë pse e kanë votuar.

Vuk Jeremiç, nga ana tjetër, pati një fushatë tejet të shtrenjtë dhe shpresonte të mblidhte bllokun liberal dhe konservator, por dështoi totalisht. Rasti i tij dëshmon se në krahun e djathtë ka një paqartësi të jashtëzakonshme, – thonë ekspertët, – dhe se “njerëzit nuk duan të votojnë për një Tomislav Nikoliç me diplomë”.

Top Channel