Kosovë, gjermania Viets: Ushtria, merrni në konsideratë deklaratën e NATO-s

03/04/2017 00:00

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets ka thënë se raportet e Kosovës me Serbinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Pavarësisht provokimeve, – thotë ajo, – në kuadër të dialogut për normalizim tashmë prioritet është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Qytetarëve u duhen shpjeguar përfitimet që dalin për Kosovën nga procesi i normalizimit”, shprehet Viets në një intervistë për “RTK”, ku ka folur edhe për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Për këtë të fundit, ajo tha se debati është polarizuar së tepërmi.

“Shumë vëzhgues pajtohen se arsyeja nuk qëndron aq shumë te përmbajtja e marrëveshjes, por në sfond të kësaj ka shoshitje që ndërlidhen me pushtetin politik. Marrëveshja për përcaktimin e kufirit, e arritur pas plot 3 vitesh punë, është shqyrtuar disa herë”, ka thënë Viets.

“Përfundimi i qartë i të gjitha shqyrtimeve ka qenë se marrëveshja për Demarkacionin e kufirit, që është ratifikuar tashmë nga ana e Malit të Zi, ka qenë korrekte. Veç kësaj, marrëveshja është ndërkombëtare, gjë që e forcon statusin e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Do të dëshironim shumë për qytetarët e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt dhe me këtë të eliminohej pengesa kryesore në rrugën drejt liberalizimit të vizave”, ka thënë ambasadorja gjermane.

Viets ka folur edhe rreth kërkesës së presidentit Thaçi dhe të aktorëve të tjerë, që FSK-ja të shndërrohet në ushtri. Siç është shprehur ajo, përcaktimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Kosovës. Megjithatë, çdo ndryshim do të duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët.

“Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, sipas së cilës aleancës do t’i duhej ta rishikonte nivelin e angazhimit, në veçanti për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së, nëqoftëse miratohet projektligji i propozuar. Ne jemi të brengosur që ky propozim e pengon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe e ngadalëson procesin e normalizimit”, ka thënë Viets.

Top Channel