Të jetosh “buzë vdekjes”, fati i civilëve të mbetur në Mosul

03/04/2017 00:00

I ulur në një karrige me rrota dhe me syzedielli, pensionisti Abdelraziq Abdelkarim shijonte diellin e pasdites në verandën e shtëpisë së tij në Mosul, pas një dite që i kishte rezervuar reshje shiu. Megjithatë, ai nuk u drodh aspak kur një zjarr murtaje u dëgjua nga shumë pranë tij.

Shtëpia e tij ndodhet shumë pranë frontit të luftës në qytetin verior të Irakut, vetëm 200 metra larg pozicioneve të militantëve të Shtetit Islamik. Jashtë shtëpisë, njësitet e policisë federale hapnin zjarr ndaj xhihadistëve.

Forcat qeveritare kanë evakuuar shumë civilë teksa luftojnë për të rimarrë kontrollin e Mosulit, dikur kështjellë e grupit të militantëve ekstremistë sunitë në Irak, ndërsa tashmë skenë e një beteje 6-mujore. Por disa familje refuzuan të largoheshin, duke sfiduar rrezikun e mortajave të hedhura nga vetëm dy blloqe më tej, apo një kundërsulm të militantëve që vërtiten sa andej-këtej gjatë natës. Të shtëna armësh dëgjohen vazhdimisht mes policisë federale dhe militantëve, të fshehur në dyqanet dhe apartamentet e braktisura.

“Nuk dua të largohem. Kam jetuar gjithë jetën time në këtë shtëpi”, thotë 72-vjeçari Abdelkarim, një ish-fotograf, i ulur pranë të birit të gjymtuar dhe nipit të tij. Ata ndajnë shtëpinë dykatëshe në një rrugicë të ngushtë me 5 persona nga dy familje të tjera. Por rreth tyre ka vetëm autoblinda dhe lëshues mortajash.

Rreth 300 mijë persona janë larguar nga Mosuli që kur nisi ofensiva qeveritare për të marrë qytetin, në muajin tetor të vitit të kaluar, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara. Por Abdelkarim dhe miqtë e tij refuzuan të shkonin në një prej kampeve të mbipopulluara, ku agjencitë e ndihmave shpesh vendosin dy familje në një tendë për shkak të mungesës së hapësirave. Edhe të tjerë si ai kanë qëndruar me familjarë dhe të afërm në shtëpitë e rrënuara.

Ata nisën të grumbullonin ushqime, ujë dhe naftë për gjeneratorin, kur ushtria nisi fushatën anti-ISIS. Edhe pse nuk ka asnjë dyqan ushqimore në vijën e frontit, shpeshherë ushtarët ndajnë racionet e tyre me ta, ose familjarë të ndryshëm rrezikojnë të shkojnë në qendrat e shpërndarjes së ushqimit të ngritura nga ushtria.

“Kemi mbetur vetëm 3 apo 4 familje, të tjerët janë larguar që të gjithë”, thotë Abdullah Ahmed, një inxhinier 42-vjeçar që qëndron me Abdelkarimin.

Zyrtarë amerikanë përllogarisin se rreth 2.000 luftëtarë të Shtetit Islamik ishin ende në Mosul gjatë shkurtit, në valën e dytë të fushatës për t’i zhvendosur ata nga pjesa perëndimore e qytetit. Forcat irakiane janë duke u afruar edhe më tej në xhaminë al-Nuri, vetëm 300 metra nga shtëpia e Abdelkarim, ku udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi shpalli kalifatin rreth 3 vite më parë, duke përfshirë edhe territoret e kontrolluara nga grupi xhihadist në Irak dhe Siri.

Top Channel