Inaktiviteti rrezikon 20 mln britanikë

03/04/2017 00:00

Plot 20 milionë britanikë rrezikojnë shëndetin, vetëm për shkak të mungesës së aktivitetit fizik. “British Heart Foundation” paralajmëron se moslëvizja shton rrezikun e sëmundjeve të zemrës, siç ndodhi me Harriet Mulvaney, e cila pati një atak kardiak në moshën 44-vjeçare.

“Kur rri dhe e mendoj tani, nuk kam qenë aspak aktive. Unë mendoja se isha e tillë, por në fakt kam qenë thjesht e zënë dhe këtë e merrja për aktivitet”, tha Harriet Mulvaney.

Femrat janë 36% më të prirura se meshkujt që klasifikohen si fizikisht joaktivë. E përkthyer në shifra, kjo do të thotë 11.8 milionë gra, krahasuar me 8.3 milionë burra.

Raporti përcakton si “joaktiv” një person i cili nuk kryen aktivitet fizik të një intensiteti të moderuar prej 150 minutash në javë dhe aktivitete force për të paktën dy ditë në javë.

Si konsulente e burimeve njerëzore, Harriet e kishte ditën shumë të zënë. Asaj i duhej një orë për të shkuar në punë me makinë, e pastaj qëndronte ulur në kompjuter për 8 deri në 10 orë në ditë.

Më vonë ishte jeta familjare që e bllokonte dhe nuk merrej dot me ushtrime trupore. Përpara se të goditej nga ataku kardiak, ajo nuk pati asnjë simptomë apo shenjë paralajmëruese.

Analiza e “British Heart Foundation” tregon se një burrë në Angli shpenzon mesatarisht një të pestën e jetës i ulur, e barazvlefshme kjo me 78 ditë në vit, ndërsa për gratë atje është rreth 74 ditë në vit.

Top Channel