NBA, Boston e Cleveland nuk ndalen

03/04/2017 00:00

Boston ruan kreun e renditjes në Konferencën e Lindjes së NBA-së dhe kjo falë fitores ndaj New Yorkut. Në “Madison Square Garden”, sfida ndaj Knicks që nuk kishin në dispozicion Carmelo Anthony e Derrick Rose, përfundoi me rezultatin 110-94 për Celtics.

Për Bostonin, 6 basketbollistë regjistruan statistika dyshifrore përsa u përket pikëve personale, por më i miri ishte Thomas, që e mbylli sfidën me 19 pikë.

Cleveland iu përgjigj suksesit të Bostonit duke mundur Indiana Pacers me rezultatin 135-130, pas dy kohëve shtesë. Në “Quicken Loans Arena” të Ohios, kampionët e NBA-së arritën të sigurojnë këtë fitore të vështirë, falë paraqitjes së shkëlqyer të yllit të tyre LeBron James, që e mbylli sfidën me 41 pikë, 16 topa në tabelë e 11 asiste.

“The King” ishte ai që shënoi edhe 3 pikët vendimtare të sfidës, një minutë nga fundi i takimit. Për Indianën nuk mjaftuan 43 pikët e Paul George për të thyer Clevelandin, që ka një bilanc me 49 fitore e 27 humbje.

Në konferencën e Perëndimit, San Antonio mundi Utah Jazz në “AT&T Center” me rezultatin 109-103. Në minutat e fundit të sfidës, Utah arriti të regjistrojë një rezultat të pjesshëm 10-0, por Leonard që e mbylli sfidën me 25 pikë personale për skuadrën e Spursave, arriti që në një moment delikat të ndalë Rudy Gobert në një sulm të Utah Jazz.

Fitore shënoi edhe Golden State kundër Washingtonit me rezultatin 139-115, ku ai që shkëlqeu ishte Stephen Curry me 42 pikë personale.

Në ndeshjet e tjera, Denver ndali Miamin duke e mundur 116-113, Houston fitoi me Phoenix 123-116 edhe pse në parket nuk ishte James Harden, ndërsa Charlotte mposhti Oklahomën në fushën e kësaj të fundit 113-101.

Top Channel