Serbët e Kosovës votuan: Beogradi të na ndihmojë

03/04/2017 00:00

Shkolla fillore “Mbreti Milutin” në Graçanicë. Serbët e Kosovës votuan për presidentin e Serbisë. Besimi mes qytetarëve është krijuar, por ai politik është kthyer në gjendjen e mëparshme të ngërçeve dhe bojkoteve.

OSBE-ja ua mundësoi të hedhin votën e tyre në kutitë që zakonisht numërohen në Serbi. Më parë kishte konflikt për organizimin e tyre, por për herë të katërt ato ndodhin. Serbët që kanë votuar shpresojnë se Beogradi do t’i ndihmojë për një jetë më të mirë.

“Presim më mirë. Premtojnë shumë, por se çfarë do të plotësojnë këtë nuk e dimë”, tha një banore.

“Ne duhet të mbështesim atë që na ka mbrojtur në mënyrë të zgjuar dhe me vizion”, tha një qytetar.

Shpresën e kanë tek Aleksandar Vuçiç, pasi ka folur dhe negociuar shumë për ta.

Presidenti i ri i Serbisë pritet të marrë përgjegjësinë për dialogun në Bruksel me Prishtinën. Marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, kohët e fundit kanë shënuar më shumë tensione sesa përmirësim, pavarësisht dialogut.

Deputetët serbë, pas një bojkoti u kthyen sërish në Kuvend. Nenad Rasiç, deputet i Kuvendit të Kosovës ka votuar në zgjedhjet për presidentin. Ai ka thënë për Top Channel se Beogradi nuk është vetëm lidhje emocionale, por edhe ekonomike.

“Nëse rritet niveli i përgjegjësisë, por edhe autoritetit politik në bisedime, nuk do të na bëjë dëme. Bisedimet do të kenë peshë tjetër dhe marrëveshjet në Bruksel do të jenë më të mira dhe do të zbatohen më shpejt. Ne kemi nevojë për një ripajtim me shqiptarët”, tha Nenad Rasiç, deputet i “Listës Serbe”.

Analisti nga Prishtina, Behlul Beqaj tha se axhenda e bisedimeve nuk do të jetë e lehtë.

“Shumica janë të pakënaqur me përmbajtjet e deritanishme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ketë përçarje dhe probleme serioze, sidomos kur vihet në diskutim implementimi i Asociacionit të komunave serbe”, tha Beqaj.

Por serbët nuk heqin dorë nga kjo dhe tranzicioni për ta është i paqartë, pasi shumica prej tyre kanë pasur punë dhe paga nga Serbia. Bashkimi Europian bëri thirrje për hapa konkretë dhe seriozitet.

Top Channel