Rritja e ndikimit të Moskës dhe Ankarasë në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësim për udhëheqësit e partive politike europiane të qendrës së djathtë, të cilët kanë apeluar për një ripërtëritje të aspiratave të BE-së në rajon.

Bashkimi Europian nuk duhet të ngecë në lodhjen nga zgjerimi, por ta mbajë të gjallë frymën pro tij në shtetet ballkanike, duke ua mbështetur dëshirën për anëtarësim.

Ky ishte mesazhi i rezolutës së miratuar javën që shkoi në Maltë, gjatë Kongresit të Partive Popullore Europiane “PPE”, ndonëse u bë sërish e qartë se përmbushja e kritereve politike të Kopenhagenit dhe angazhimi për ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbeten thelbësore në përpjekjet e aderimit.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç këmbëngul se rritja e ndikimit të huaj në Ballkan, sidomos në Lindje dhe në Jug të tij, në një nivel politik dhe financiar, tregon sesa i nevojshëm është forcimi i angazhimit të BE-së për të balancuar një kërcënim të tillë.

“Nëse ngurrojmë tani, – ishte komenti i tij, – nëse shfaqemi të avashtë në afrimin e këtyre vendeve, të jeni të sigurtë se të tjerët nuk do të hezistojnë dhe do t’i largojnë ata nga blloku”.

Kroacia, anëtarja më e re e BE-së është zotuar ta ndihmojë fqinjen e saj, Bosnje-Hercegovinën, të ecë në hapat e saj dhe t’i bashkohet BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur.

“EURACTIV” citon kryeministrin hungarez, Viktor Orban, të deklarojë se BE-ja gjendet përballë një krize të politikës së jashtme me Ukrainën e destabilizuar në njërën anë, dhe Ballkanin që vlon në anën tjetër.

Top Channel