Kërcënimi i Koresë së Veriut, Trump: E zgjidhim edhe vet

03/04/2017 00:00

Nëse Kina nuk ndërhyn, Shtetet e Bashkuara do ta zgjidhin vet çështjen e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

“Po nuk ndihmoi Pekini, kemi për ta zgjidhur ne këtë punë. Unë vetëm kaq po iu them”, ishte komenti i presidentit amerikan Donald Trump, në një intervistë për prestigjiozen britanike “Financial Times”.

I pyetur nëse mendonte se mund t’ia dilte edhe i vetëm, përgjigjja e tij ishte: Absolutisht po!

Komentet e Trumpit paraprijnë vizitën e planifikuar këtë javë në SHBA të presidentit kinez, Xi Jingping.

“Kina ka ndikim të madh mbi Korenë e Veriut dhe tani duhet të vendosë nëse do të ndihmojë me të apo jo”, ishte komenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Ai nuk sqaroi se për çfarë ndërhyrjeje do të bëhet fjalë, po të paraqitet vërtet nevoja për veprime të njëanshme.

Pas testeve të njëpasnjëshme balistike të Penianit, ekziston frika se vendi komunist mund të prodhojë raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi, të afta të mbërrijnë deri në tokën amerikane.

Administrata e Trumpit e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur sesa e shqetëson aktiviteti bërthamor i Koresë së Veriut. Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ishte në Kinë muajin e kaluar, pikërisht për të kërkuar ndërmjetësimin e Pekinit në zbutjen e kërcënimit që i kanos botës vendi i tij fqinj.

Gjatë të gjithë fushatës elektorale dhe që prej marrjes së postit, Trump ka vazhduar ta konsiderojë Kinën përgjegjëse për zhvillimin e programit bërthamor të Penianit, të cilin sipas tij, ajo mund ta kishte frenuar me ndikimin e saj.

Top Channel