Napoli, barazim në sfidën e parë me Juven

02/04/2017 00:00

Ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1, beteja e parë midis Napolit dhe Juventusit, e vlefshme për Serie A.

Juventusi kaloi shumë shpejt në avantazh, me një supergol të shënuar nga mesfushori gjerman, Sami Khedira.

Napolitanët nuk ishin dakord me këtë rezultat dhe të shtyrë edhe nga mbështetja e tifozëve, u hodhën në sulm, duke krijuar raste të rrezikshme, po pa shënuar dot.

Goli i barazimit do të vinte në minutën e 60′, ku kapiteni Hamsik dërgoi topin në rrjetën e portierit Buffon.

Minutat në vijim, ekipi i Sarrit e kërkoi me ngulm fitoren ndaj rivalëve juventinë, por fati nuk ishte me ta, pasi goditën shtyllën me Mertens dhe humbën disa raste të tjera.

Vlen të përmendet se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysaj bëri një ndeshje të shkëlqyer. Shkodrani i Napolit ishte i pakalueshëm në mbrojtje dhe veçanërisht në pjesën e parë, mori disa herë krahun duke vënë në vështirësi mbrojtjen bardhezi.

Nga ana tjetër, sulmuesi i Juventusit, Higuain u vërshëllye nga tifozët vendas, në çdo prekje të topit.

Të mërkurën në mbrëmje, Napoli dhe Juventus do të përballen sërish, në takimin e vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja e parë ka përfunduar me fitoren 3-1 të bardhezinjve, ndërsa napolitanët do të tentojnë të përmbysin këtë rezultat për të arritur finalen e Kupës. 

Top Channel