Përmbytjet në Australi, sipërfaqe sa Teksasi nën ujë

02/04/2017 00:00

Cikloni Debbi la pas një vazhdë shkatërrimi në Australi, ku autoritetet kanë nisur të bëjnë bilancin e dëmeve që janë kolosale.

Stuhia e fuqishme shkaktoi përmbytjen e një sipërfaqe të madhe sa shteti i Teksasit dhe i kushtoi jetën të paktën 3 personave. Tashmë Debbie ka humbur fuqinë mbi detit e Tasmanisë pasi solli rrebeshe të forta mbi bregun lindor të Australisë që nga pika e përplasjes me kontinentin në Kuinsland.

Shirat kanë përfunduar, por alarmi për përmbytje është ende në fuqi, dhjetëra qendra të banuara dhe arat e mbjella janë nën ujë, ndërsa dëmet pritet të jenë me qindra miliona dollarë. Zona kryesore e katastrofës shtrihet për më shumë se 1000 kilometra nga ku Debbi zbarkoi në tokë në bregdetin e rajonit Kuinsland e deri në fermat e Uellist të ri jugor.

Me mijëra janë njerëzit që nuk kthehen dot në banesat e tyre, pasi sipërfaqeve kolosale të përmbytura do ti duhet kohë që të thahen.

Ushtria dhe ekipet e emergjencës po punojnë që të rikthejnë furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike në zonat e goditura më rëndë, ndërsa gjithnjë e më shumë autoritetet lokale thonë se katastrofa është e paprecedent.

Kryeministrja e Kuinsland Annastacia Palaszczuk e përshkroi mjaft mirë situatën kur tha se  Debbi ende nuk ka mbaruar me Australinë, pasi do ët duhen muaj për rindërtimin.

Top Channel