Bob Dylan merr Nobelin e Letërsisë

02/04/2017 00:00

Bob Dylan më në fund e pranoi Nobelin e tij të Letërsisë, më shumë se tre muaj nga ceremonia e dorëzimit të çmimit më të lakmuar në botën e letrave.

Kantautori legjendar e mori medaljen e tij në një event privat në Stokholm përpara koncertit që kishte programuar në qytet. Të pranishëm kanë qenë një rreth i ngushtë personash, ashtu siç kishte kërkuar ai vetë.

Mbi këtë zhvillim nuk janë dhënë detaje të mëtejshme. Ajo që pohuan më herët zyrtarë të akademisë suedeze është se Dylan nuk do ta mbante fjalimin e tij të Nobelit, kushti tradicional për të përfituar bashkë me nderimet e rastit, edhe çmimin prej 900 000 dollarësh.

Pritet që 75-vjeçari ta bëjë më vonë një gjë të tillë, ndërsa fjalimin ta ketë regjistruar. Nëse nuk e realizon këtë kriter deri në muajin qershor, paratë e Nobelit duhet t’i konsiderojë të humbura.

Top Channel