Roma, Dzeko “mister 33” golëshi. Asnjë si ai më parë

02/04/2017 00:00

Në ditën e gënjeshtrave, sulmuesi Edin Dzeko hyri në histori si shënuesi më i mirë sezonal në historinë e Romës, dhe statistikat konfirmojnë se numrat e futbollistit ballkanas nuk janë një shaka.

Dy golat e shënuar kundër Empolit e çuan boshnjakun në kuotën e 33 golave këtë sezon, aq sa asnjë romanist nuk kishte firmosur në 90 vite histori, dhe aq sa shumë legjenda të verdhekuqve nuk ishin afruar.

Edin Dzeko kaloi në një ndeshje të vetme, emra si Volk në sezonin 1930-31, Manfredini në 1960-61 dhe emblemën Francesco Totti, saktësisht 10 vite më parë, kur kapiteni mori në shtëpi “Këpucën e Artë” si bomberi më i spikatur i Europës.

Futbollisti i kombëtares boshnjake ka mundësinë që të përmirësojë dukshëm bilancin e tij, pasi ka ende të paktën 9 ndeshje të tjera në dispozicion.

Të martën kundër Lacios, në atë që është kthyer në ndeshjen më të rëndësishme të vitit për Romën, tifozët shpresojnë se Edin Dzeko do të bëjë sërish atë që di më mirë, për të arritur një tjetër rekord, atë personal. Sulmuesi ka shënuar në një sezon 36 gola kur luante me Wolfsburgun, por tani me një tjetër fanellë, Dzeko synon të shkruajë një tjetër kapitull.

Top Channel