PSG, goleadë ndaj Monacos. Ngre trofeun e Kupës së Ligës

02/04/2017 00:00

Paris SG arriti të shtojë në muzeun prestigjioz të trofeve, një tjetër simbol në futbollin e vendit transalpin, pasi mundi 4-1 Monacon në finalen e Kupës së Ligës.

Në një formacion yjesh që frymëzohej në repartin sulmues nga Di Maria, Cavani dhe Draxler, kryeqytetasit francezë ia dolën të imponohen me meritë në stadiumin e Lionit.

Parizienët morën epërsinë e hershme ndaj skuadrës së Principatës, kur gjermani Julian Draxler tundi rrjetën e rivalëve pas një mbështetjeje që i bëri ngulmimit të argjentinasit Di Maria. Monaco arriti të barazonte në rastin e parë të vërtetë me Lemar, që ndëshkoi portierin Trap, por më pas gjithçka foli për kryeqytetasit.

Skuadra e trajnerit Emery mori sërish avantazhin në fundin e 45-minutëshit të parë me Di Marian, ndërsa hipotekuan kupën me një aksion mjeshtëror të nisur nga Verrati dhe të finalizuar në shtyllën e parë nga Edinson Cavani.

Goleada e parizienëve u siglua sërish nga bomberi uruguajan, duke bërë që të shpërthejë festa e PSG për Kupën e 7 të Ligës në historinë e tij, dhe të katërtën radhazi.

Top Channel