Presioni i fundit për Ivanov. Tusk, të hënën me “sanksione” në Shkup

02/04/2017 00:00

Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk zbarkon të hënën në Shkup, e ashtu si zyrtarë të tjerë të lartë të bllokut përpara tij, duket se vjen me porosi të qarta për presidentin Gjorge Ivanov.

BE-ja është pozicionuar hapur, pro zgjidhjes së shpejtë të krizës në respektim të Kushtetutës, që do të thotë t’i dorëzohet mandati i krijimit të qeverisë shumicës së re parlamentare.

Në axhendën e Tuskut do të jetë edhe ngërçi i emigrantëve, një shqetësim i pafashitur plotësisht ky i Bashkimit Europian, por kriza politike aktuale e Maqedonisë dhe perspektiva europiane e rajonit do të jenë padyshim pjesë qëndrore e bisedimeve mes dy udhëheqësve.

Agjensia e lajmeve “INA” citon njohës të mirë të zhvillimeve në vend të pohojnë se vizitën e shefit të Këshillit Europian e shohin si presionin e fundit ndaj Ivanovit për t’i dorëzuar mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Profesoresha Tanja Karakamisheva-Jovanovska nuk përjashton skenarin që zyrtari i lartë i bllokut të parashtrojë opsionin e disa sanksioneve të ashpra për disa polikanë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe ndaj vet kreut të shtetit maqedonas.

Kjo është vizita e tretë e Tuskut brenda dy vitesh në Maqedoni. Gjatë ndalesës së tij të fundit, marsin e 2016-s, zyrtari europian ishte i fokusuar te çështja e ngutshme asokohe e refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Top Channel