Muri i Trumpit, përfitime edhe për kompanitë gjermane

02/04/2017 00:00

Nga planet e Donald Trumpit për murin e shumëdiskutuar në kufi me Meksikën mund të përfitojnë edhe disa firma gjermane.

Presidenti amerikan ka kërkuar deri në një miliard dollarë për shpenzime në projekte infrastrukturore, rrugë, ura e stacione treni.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” përmend dy kompani që shfaqen sipas saj në listën e 700 subjekteve të gatshme për tendera: “Bauer AG” nga Bavaria dhe zyra e arkitekturës “Leupold Brown Goldbach” nga Mynihu.

Asnjëra prej tyre, megjithatë, nuk dëshiron të flasë hapur për planet e saj. I pyetur nga “Deutsche Welle”, “Bauer”, një biznes familjar me mbi 10 mijë të punësuar, nuk pranoi të tregonte publikisht interesin për murin. “Leupold Brown Goldbach”, nga ana tjetër, shpejgon se nuk po i hyn këtij projekti për të siguruar përfitime prej tij.

“Ne thjesht duam të jemi pjesë e asaj çfarë po ndodh në atë vend”, ishte komenti i Wyly Brown, njëri prej drejtuesve të zyrës. Bashkëthemeluesi i saj, Andreas Leupold këmbëngul se arkitektura e tyre promovon transparencën, demokracinë, të qenurit i hapur dhe jo ndarjen mes njerëzve.

Në muajin shkurt, një tjetër kompani gjermane ndërtimi, “Hochtief” hodhi poshtë pretendimet se kishte ndërmend të bëhej pjesë e ngritjes së murit të Trumpit. Te gjermanët, fjala “mur” ka një forcë simbolike, e kjo duket se justifikon ngurrimin për t’u shfaqur si palë në ngritjen e atij të Meksikës.

Lartësia e murit që ndau Gjermaninë për vite me radhë ishte 3.60 metra, ndërsa ai që kërkon të ngrejë presidenti amerikan llogaritet te 9 metrat.

Top Channel