Diplomatja amerikane në OKB, Haley: Trump s’më ka ndaluar kritikat ndaj Rusisë

02/04/2017 00:00

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka deklaruar ditën e shtunë se presidenti Donald Trump nuk e ka penguar atë “të kritikojë” Rusinë.

Në një intervistë të dhënë për programin “This Week” të “ABC News”, prezantuesja Martha Raddatz i kërkoi ish-guvernatores së Karolinës së Jugut sesi Shtetet e Bashkuara e kanë ruajtur rolin e tyre si “ndërgjegjja morale e botës” – siç është shprehur vet Haley, – nëse Trump nuk vijon me ndëshkimin e veprimeve të Rusisë.

“Presidenti nuk më ka telefonuar ndonjëherë të më thotë që të mos e kritikoj Rusinë. Nuk më ka telefonuar ndonjëherë të më thotë se çfarë apo si duhet të shprehem”, është përgjigjur Haley. “Unë do të vazhdoj ta kritikoj Rusinë”.

Raddatz e shtoi dozën e presionit ndaj Haleyt, kur e pyeti nëse edhe Trumpi duhet medoemos “ta kritikojë Rusinë”.

“Po, sigurisht. Ai ka shumë gjëra me të cilat po merret, por nuk më ka ndaluar kurrë që të kritikoj Rusinë”, tha Haley.

Gjatë daljes së parë të ambasadores amerikane në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në muajin shkurt, ajo e dënoi Rusinë për veprimet e ndërmarra në rajonet e Ukrainës lindore.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dënojnë dhe të bëjnë thirrje për dhënien fund në mënyrë urgjente të pushtimit rus të Krimesë”, tha Haley. Ajo shtoi se “sanksionet e lidhura me Krimenë” të vendosura ndaj Rusisë do të vazhdojnë “të jenë në fuqi, deri kur Rusia t’ia rikthejë kontrollin e gadishullit Ukrainës”.

Agjencitë e shërbimeve sekrete kanë dalë në përfundimin se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. FBI-ja është duke hetuar lidhjet e mundshme mes zyrtarëve të fushatës së Trumpit dhe qeverisë ruse.

Mëngjesin e së shtunës, Trump publikoi në “Twitter” kërkesën “për t’i dhënë fund historisë së rreme Trump-Rusi”. Administrata amerikane ka theksuar gjithashtu dhe në vazhdimësi se, përgjimi i fushatës së tij nga zyrtarë të administratës Obama është historia pas së cilës duhet më shumë fokus.

Top Channel