Shtohen telashet, Flynn s’ka deklaruar të ardhurat “ruse”

02/04/2017 00:00

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, Michael Flynn dështoi të deklaronte pagesat nga një rrjet televiziv rus dhe një tjetër firmë e lidhur me Rusinë në formën e deklarimit të të ardhurave të muajit shkurt. Kjo, sipas dokumenteve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë ditën e shtunë.

Në formatin e deklarimit të të ardhurave, të firmosur nga Flynn më 31 mars, ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë ka listuar angazhimet e dukshme tek entitetet ruse, përfshi këtu televizionin “RT” të financuar nga Kremlini dhe kompaninë ajrore “Volga-Dnepr”. Megjithatë, aty nuk thuhet sesa është paguar Flynn, por deklarimet e tij gjenden në një seksion të titulluar “burimet e kompensimit i tejkalojnë 5.000 dollarët në një vit”.

Këto fjalime nuk janë përfshirë në formën e deklarimit të të ardhurave, që Flynn e ka nënshkruar elektronikisht më 11 shkurt, e që Shtëpia e Bardhë e publikoi vetëm të shtunën.

Mosdeklarimi i këtyre të ardhurave me burime nga Rusia mund t’i shtojnë edhe më tej shqetësimet ligjore ndaj Flynnit. Gjenerali i dalë në pension, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen vetëm 24 ditë pas emërimit, ndodhet tashmë nën hetim për kontaktet e tij me zyrtarët rusë në një çështje edhe më të gjerë që po heton përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Ai kërkoi imunitet në këmbim të dëshmisë përpara komiteteve të shërbimeve sekrete në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe këtë e bëri përmes avokatit të tij Robert Kelner, ditën e enjte.

Flynn dha dorëheqjen më 13 shkurt pasi kishte dështuar të mbante fshehur bisedimet me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, rreth sanksioneve amerikane ndaj Moskës, si dhe për keqinformimin e zv.presidentit Mike Pence mbi këto biseda, që kanë ndodhur përpara se Trump të merrte zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel