Kina ndalon mjekrën dhe velon islamike në rajonin ujgur

01/04/2017 00:00

Qeveria në Kinë ka publikuar një sërë masash të reja kufizuese në rajonin veri-perëndimor Xinjiang, në kuadër të fushatës kundër ekstremizmit islamik.

Masat në fjalë, sikurse raporton BBC në edicionin e saj online, përfshijnë edhe ndalimin e mjekrës së gjatë për meshkujt, velon në vendet publike nga femrat dhe refuzimin për të parë televizionin shtetëror.

Xinjiang është vendi i ujgurëve, etni turkofone me besim islamik, të cilët denoncojnë diskriminimin që bëhet ndaj tyre.

Vitet e fundit në këtë rajon janë verifikuar përplasje të përgjakshme. Nga ana e saj, qeveria kineze akuzon militantët islamikë dhe separatistët për aktet e dhunës.

Por OJQ-të për të drejtat e njeriut deklarojnë se, përleshjet janë një reagim ndaj politikave represive të Pekinit e që së bashku me masat e reja mund të çojnë ujgurët drejt ekstremizmit.

Top Channel