Cikalleshi supergol ish-skuadrës, i jep 3 pikët Akhisarit

01/04/2017 00:00

Sulmuesi i Kombëtares ka gjetur rrjetën e golit në kampionatin turk, menjëherë pas impenjimit me kuqezinjtë.

Një gol i rëndë sepse vendosi fitoren e skuadrës së tij Akhisar, i rëndë pasi u shënua ndaj ish skuadrës së tij Instabukl Basaksehir që disponon kartonin e sulmuesit shqiptar dhe zgjodhi ta huazonte janarin e kaluar, i rëndë sepse tregon vlerat e Cikalleshit që u fut në lojë nga stoli në minutën e 85 dhe në të 94 me një prekje, një nga ato goditjet e tij vendosi takimin.

Cikalleshi nuk festoi në respekt të ish skuadrës, por padyshim që ky gol është një britmë çlirimi për të, pasi ju ka treguar drejtuesve të Basaksehir se sa vlen këtë herë si kundërshtar, aq më tepër që skuadrës nga Stambolli kjo disfatë mund ti kushtojë titullin, me Basaksehir që ndodhet në vendin e dytë me 53 pikë dhe Beshiktashi kryesues me një fitore të dielën mund të zgjasë në 5 pikë diferencën.

Për Cikalleshin vjen si një bekim pas një sezoni jo dhe aq të mirë për të, i harruar në stol për gjysmën e parë të sezonit te Basaksehir, 26 vjecari nga Kavaja shkoi te Akhisar për të gjetur minutat e aktivizimit që sërish kanë qenë të pakta për të në kampionat. Gjithmonë është vlerësuar për volumin që krijon përpara dhe shpirtin luftarak çka nuk është pasqyruar në rendimentin e golave.

Këtë herë i kanë mjaftuar pak minuta për të vendosur një fitore me peshë që i jep Akhisar qetësi për sa i përket luftës për mbijetesë, duke i dhënë një mesazh në fushë edhe trajnerit Okan Buruk se duhet ta marrë më shumë në konsideratë për pjesën e mbetur të sezonit.

Top Channel