Në fillim të fushatës, Aleksandar Vuçiç u tha serbëve se Serbia duhet të shkojë vetëm në një drejtim.

Gjatë fushatës ai ka numëruar projektet e arritura, duke kërkuar të jetë në krye të shtetit. Por, se cili do të jetë mesazhi i tij i fundit nuk dihet.

Bojan Klacar, nga organizata për monitorimin e zgjedhjeve CESID, është i bindur se Vuçiç fitoren e ka të sigurtë.

“Askush nuk mund të jetë tjetër përveç Vuçiç. Pyetja më e madhe e zgjedhjeve është nëse do të fitojë në raundin e parë, pasi sondazhet e deritanishme i sigurojnë atij mbi 50 për qind. Por varet se çfarë votuesish do të dalin më shumë në zgjedhje”, thotë Klacar.

Vuçiç gjatë fushatës takoi kancelarën gjermane Angela Merkel, por vulën ia dha takimi vetëm një javë para zgjedhjeve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Në fushatë kanë qenë 11 kandidatë, shumica prej të cilëve nuk përbëjnë rrezik për njeriun e fortë të Serbisë.

Bllloku i Serbisë qytetare ka ish-Avokatin e Popullit si kandidat të pavarur. Për Sasha Jankoviç, teoritë liberale si demokratët e dikurshëm që duan një Serbi tjetër kanë irrituar më së shumti partitë në pushtet.

Ndërsa të tjerët janë edhe më radikalë sesa vetë radikalët. Vuk Jeremiç, ish-shefi i diplomacisë që provoi fatin edhe për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, në qytetin e Nishit u ka folur qytetarëve se si nuk duhet ndërtuar autostrada deri në Tiranë, pasi shqiptarët mund të blejnë shtëpi në Serbi.

Rajoni pret të shikojë se si do të zhvillohet politika pas mbërritjes së avionëve rusë që pritet ta forcojnë mbrojtjen e Serbisë.

“Natyrisht që partneritet strategjik do të ketë edhe me Rusinë. Vuçiç hapur shpreh simpati ndaj Gjermanisë kur bëhet fjalë për BE-në, ndërsa më parë ishte krijuar ideja se Tomisllav Nikolliç ishte lidhja me Rusinë. Por edhe në fushatë duket se BE-ja nuk është në plan të parë nga asnjë kandidat dhe nuk duhen nënvlerësuar lidhjet e Vuçiç me Moskën dhe Pekinin”, thotë Jankoviç.

Serbia është një vend që aspiron Bashkimin Evropian, por Vuçiçit shpesh i pëlqen ta krahasojnë vetëm me liderin jugosllav Josip Broz Tito.

Top Channel