“Evoluimi”, ISIS është sofistikuar

01/04/2017 00:00

Shërbimet amerikane të zbulimit besojnë se ISIS dhe organizata të tjera terroriste kanë zhvilluar mënyra të reja për të fshehur eksplozivë në pajisjet elektronike, që sipas testeve të FBI-së mund t’u shpëtojnë kontrolleve të sigurisë në aeroporte.

Ato që rrisin edhe më tej shqetësimet janë sugjerimet e inteligjencës se terroristët kanë siguruar pajisje të sofistikuara sigurie për të testuar sesi të shmangin me sukses lëndë shpërthyese në laptope dhe mjete të tjera elektronike.

Informacionet e grumbulluara gjatë muajve të fundit luajtën një rol të rëndësishëm në vendimin e administratës Trump për të ndaluar mbajtjen e laptopeve dhe pajisjeve të tjera elektronike në fluturimet nga 8 vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

CNN ka zbuluar se përmes një serie testesh të zhvilluara në fund të vitit të kaluar, FBI-ja arriti në përfundimin se identifikimi i bombave të fshehura në laptop mund të jetë më i vështirë se në të kaluarën.

Byroja Federale e Hetimeve u fokusua tek disa modele specifike të makinerive skanuese, që janë aprovuar nga administrata për sigurinë në transport e që përdoren në SHBA dhe rreth botës.

“Edhe pse nuk mund të hyjmë në detaje, kemi informacione se aviacioni civil vazhdon të jetë në shënjestër të grupeve terroriste”, i tha CNN-it Departamenti për Sigurinë e Brendshme.

Ekspertët e sigurisë thonë se urdhri për ndalimin e pajisjeve elektronike në fluturimet nga 8 vende është plotësisht i nevojshëm bazuar në aftësitë dhe zonat ku pozicionohen grupet terroriste.

Top Channel