Mbështetje ish-këshilltarit. Trump: Flynn të kërkojë imunitet

31/03/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump mbështeti vendimin e ish-këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, që të kërkojë imunitet në një hetim të Kongresit për lidhjet e mundshme mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Gjenerali në pension Michael Flynn, i cili dha dorëheqjen vetëm 24 ditë pasi u emërua këshilltar për Sigurinë Kombëtare, kërkon imunitet për t’u mbrojtur nga hetimet e padrejta nëse dëshmon para Komiteteve të Inteligjencës së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Dëshmia e Flynn mund të hedhë dritë mbi bisedat që ai zhvilloi vitin e kaluar me Sergei Kislyak, ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ishte këshilltar sigurie i fushatës së Trumpit. Kërkesa e Flynn u bë përmes avokatit të tij, Robert Kelner, i cili tha se klienti i tij nuk do t’i nënshtrohet marrjes në pyetje pa një garanci, në një mjedis kaq të politizuar e të prirur për “gjueti shtrigash”.

Ky term u përdor edhe nga Trump në mesazhin e tij në “Twitter”.

“Mike Flynn duhet të kërkojë imunitet nga kjo ‘gjueti shtrigash’ justifikimi për humbjen e madhe në zgjedhje, të medias dhe demokratëve me proporcione historike”, shkroi presidenti amerikan.

I pyetur nga mediet gjatë një takimi me prodhuesit në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk pranoi të komentojë për këtë çështje. Por komenti i tij në “Twitter” ka shkaktuar një stuhi reagimesh, pasi shumë njerëz mendojnë se kush kërkon imunitet, ka bërë një krim.

Pikërisht këtë i kujtojnë ata Trumpit, madje me fjalët e tij. Vitin e kaluar gjatë fushatës, në lidhje me hetimin e FBI-së për Clintonin, Trump tha se “nëse nuk ke bërë asnjë krim, nuk ka pse të duhet imuniteti”. Ndërkohë, përfaqësuesit e Komiteteve të Inteligjencës në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve thanë se është ende herët të dikutohen kërkesa për imunitet.

Top Channel