Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti mbledhjen e Kryesisë qendrore të partisë, ku u diskutua për krizën politike në Maqedoni.

Deputetët e BDI-së, Bujar Osmani dhe Teuta Arifi thanë se në mbledhje u diskutua për mënyrat e zgjidhjes së krizës dhe zhbllokimin e Kuvendit të Maqedonisë. Ata deklaruan se u diskutua edhe për mundësinë e tërheqjes së ministrave të BDI-së nga qeveria teknike, por nuk u mor asnjë vendim konkret.

Vet kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i konfirmoi diskutimet gjatë një prononcimi për mediet, ku tha se është analizuar nga të gjitha aspektet tërheqja e ministrave të BDI-së. Ai shtoi se duhet vlerësuar me kujdes kjo lëvizje, pasi mundet të zhbllokojë, por edhe të komplikojë më shumë situatën, prandaj BDI-ja do të konsultohet me të gjitha partitë dhe ekspertët, në lidhje me atë se çfarë mund të prodhojë ky veprim.

“Ka ardhur momenti që mund të komplikohet edhe më tej situata, nëqoftëse tërhiqet nga ekzekutivi BDI dhe ne nuk duam që të jemi pjesë e zmadhimit të problemeve. Ne jemi për të ofruar një zgjidhje sa më të mirë për zhbllokim. Kjo do të thotë se nuk ka kush e verifikon dorëheqjen e ministrave, ndaj të gjitha variantet janë duke u analizuar”, tha Ali Ahmeti, kreu i BDI-së.

I pyetur nga mediet për mundësinë e zgjedhjeve të parakoshme, Ahmeti tha se kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Sipas tij, edhe nëse zgjedhjet bëhen, situata nuk do të ndryshonte aspak dhe kjo nuk i shërben vendit.

Top Channel