Bregu Perëndimor, Izraeli miraton kolonitë e para pas 20 vitesh

31/03/2017 00:00

Izraeli miratoi ndërtimin e kolonisë së tij të parë në Bregun Perëndimor pas dy dekadash. Kabineti i Sigurisë votoi unanimisht që të nisë ndërtimi i banesave për hebrenjtë, në një kodër që njihet me emrin “Geulat Zion” pranë qytetit palestinez Nablus.

Këto do të jenë shtëpitë e rreth 40 familjeve që u dëbuan nga një vendbanim i jashtëligjshëm në fillim të shkurtit. Aktivistët thonë se në Bregun Perëndimor ka me dhjetëra vendbanime izraelite të ndërtuara pa bekimin e qeverisë, por ai i Amonës, që u zbraz dhe u shemb pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishte më i madhi.

Qeveria izraelite nuk diskutoi urdhrin e gjykatës, që tha se shtëpitë ishin ndërtuar mbi tokë private palestineze, por vet kryeministri Netanyahu premtoi se do të ndërtonte shtëpi të reja. Me urdhrin e ri për nisjen e ndërtimeve, duket se Netanyahu mban premtimin e tij, megjithëse banesat do të jenë sërish mbi tokë të pushtuar palestineze, madje në distancë fare të afërt me zonën e Amonës, që u zbraz nga policia.

Qeveria izraelite zgjeron vazhdimisht kolonitë apo legalizon ato të jashtëligjshmet, por kjo shënon herën e parë që miraton ndërtimin në Bregun Perëndimor që prej 20 vitesh. Vetëm një muaj më parë, presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi Netanyahut që të ndalojë ndërtimin e kolonive, por duket qartë se qeveria izraelite ka axhendën e saj në këtë çështje, pavarësisht se kush është në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarë palestinezë i kërkuan ndihmë komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar planet izraelite, që sipas tyre janë pengesa kryesore për bisedimet e paqes.

Top Channel