Frika nga “Brexit”, qeveria qetëson Premier League

31/03/2017 00:00

Drejtuesit e klubeve të Premier League nuk e fshehin frikën për efektin që do të ketë Brexit në fushatën e tyre të blerjeve në të ardhmen.

Sipas tyre, rregullat e reja për kontrollin e emigrantëve do ta bëjnë të pamundur për ta që të sjellin në kampionatin anglez futbollistë që aktivizohen në ligat e vendeve të Bashkimit Europian.

Kjo për faktin se pjesa më e madhe e futbollistëve që luajnë në Premier League vijnë pikërisht nga vendet e BE.  Ministri i Financave Philip Hammond premtoi se futbollistët do të përfshihen në kategorinë e punonjësve tepër të aftë dhe paguar mirë, kategori se cila nuk do të jetë subjekt i kontrolleve të reja për emigracionin.

Një premtim që erdhi menjëherë pasi pronari i West Ham David Gold dhe ai Stoke City Peter Coates biseduan me përfaqësues të qeverisë britanike në lidhje me këtë çështje. Vetë Hammond deklaroi se do të ishte diçka e padrejtë që kampionati anglez të privohet nga ata që përkufizohen si futbollistë të një niveli shumë të lartë.

“Premier League është kampionati më i bukur në botë”, tha Hammond. “Është reklama më e mirë për Britaninë dhe Anglinë. Unë e di që shumë njerëz flasin për pasurinë në këtë vend, por lojtarët marrin paga shumë të larta dhe shteti përfiton taksa prej tyre. Nuk shoh arsye që kjo situatë të ndryshohet. Premier League po ndiqet gjithnjë e më shumë në mbarë botën dhe nuk mendoj se qeveria do të bëjë ndonjë gjë për ta prishur këtë fakt”.

Zbatimi i rregullave të reja të kontrollit për emigrantët në Britaninë e Madhe pritet të nisë në muajin mars të vitit 2019.

Top Channel