Francë, periferia voton Le Penin

31/03/2017 00:00

Një udhëtim 90-minutësh me tren nga stacioni i trenit “Gare de Lyon” në Paris përpiqet të nxjerrë në pah hendekun politik mes votuesve të kryeqytetit dhe pjesës tjetër, i njëjti fenomen që shkundi Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që mund të bëjë të njëjtën gjë edhe në Francë.

Sa më larg të shkosh, thotë Reuters, aq më shumë rritet mbështetja për Frontin Nacional, të pozicionuar hapur kundër emigrantëve dhe kundër bllokut europian. Në “Gare de Lyon”, producenti 32-vjeçar Victor Leclere rrëfen se i frikësohet popullaritetit të partisë së Marine le Penit.

“Unë jetoj në atë që mund ta quani një zonë multikulturale, ku gjen njerëz të çdo ngjyre e çdo origjine dhe nuk kemi pasur ndonjëherë probleme. Kemi jetuar të gjithë së bashku pa ngritur pyetje. Më shqetëson portretizimi që Fronti Nacional i bën Francës si vend në të cilin nuk ekzistojnë kulturat e ndryshme, kur në fakt nuk është aspak ashtu”, thotë Leclere.
 
Villeneuve-Saint-Georges është vetëm 19 minuta larg Parisit, por me blloqet e betonit dhe rrugët e gjera duket vite dritë larg qendrës me ndërtesa të gurta dhe shëtitore të Parisit. Kjo periferi me 32 000 banorë i dha Le Penit gati 30% të votave në zgjedhjet rajonale, kur në kryeqytet mori gati 10%.

“Nuk kemi parë këmbë politikani të shkelë këtu. Ata shkojnë në qytetet e mëdha, por në periferi nuk vijnë. Unë vetë nuk besoj më tek politika, ajo ka marrë fund”, thotë një banore.

30-vjeçari Lucien Ngando, specialist IT-je me origjinë kongoleze, thotë edhe ai se këtë herë mund të mbështesë Le Penin: “Përderisa ajo është kandidate për zgjedhjet presidenciale, atëherë kjo do të thotë se Fronti Nacional është një parti e mirë. Dhe idetë vërtet që nuk i ka të këqija. Duhet t’ia japim një shans, përse jo”.

Sipas tij, Le Peni ka shpenzuar më shumë kohë duke bërë fushatë jashtë kryeqytetit sesa kundërshtarët e saj, Emmanuel Macron e François Fillon, e thotë se ajo i kupton më mirë hallet e rrethinës.

Top Channel