Rusia, pas “fake news”? Flynn kërkon imunitet për të dëshmuar

31/03/2017 00:00

Shtatorin e vitit 2016, ai deklaronte se kush kërkon imunitet, ndoshta e ka kryer një krim. Por tani, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn shprehet i gatshëm të dëshmojë në seancat dëgjimore mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, e në këmbim pretendon pikërisht imunitetin nga ndjekja penale.

Klienti im i ka disa gjëra për të thënë, ishte deklarata e avokatit të ish-zyrtarit të lartë të administratëes “Trump”, të shkarkuar në muajin shkurt.

“Gjenerali Flynn ka një histori për të treguar dhe dëshiron shumë ta tregojë, nëse rrethanat do t’ia lejojnë. Ai është një veteran i shumëdekoruar i ushtrisë amerikane. Por pavarësisht një jete të tërë të kaluar në shërbim të Sigurisë Kombëtare, mediet janë të mbushura me akuza të pabazuara, pretendime fyese për tradhti dhe aludime të mbrapshta kundër tij. Tani është shënjestra e kërkesës së anëtarëve të Kongresit dhe kritikëve politikë, që kërkojnë të hetohet penalisht. Asnjë person i arsyeshëm, i cili ka përfitimin e këshillave të specializuara, nuk do t’i nënshtrohej marrjes në pyetje në një mjedis kaq të politilizuar e të prirur për ‘gjueti shtrigash’, pa marrë më parë garanci kundër përndjekjes së padrejtë”, tha Robert Kelner, avokat.

Seancën e parë dëgjimore mbi këtë çështje, Senati e çeli më herët me paralajmërimin e një pjesëtari të tij mbi “qerthullin e rrezikshëm propagandistik” të Kremlinit dhe pretendimet se Moska ka kërkuar “t’i vidhte zgjedhjet” në Amerikë.

Si komisionet e Inteligjencës në Senat e Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe FBI-ja janë duke hetuar lidhjet e Flynnit me Rusinë. Takimet e tij me një të dërguar rus në kohën e fushatës i kushtuan ish-gjeneralit edhe vendin e punës.

Sipas anëtarit demokrat të komisionit të Senatit, Mark Warner, Rusia mund të ketë përdorur teknologjinë për të përhapur sa më shumë dizinformim, përfshirë këtu lajmet e rreme, me të cilat ka bombarduar votuesit në shtetet kyçe si Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania.

Top Channel