Arrestohet ish-presidentja e Koresë së Jugut

30/03/2017 00:00

Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye u arrestua si pasojë e një skandali korrupsioni, që para tri javësh solli shkarkimin e saj.

Park akuzohet se lejoi mikeshën e saj të ngushtë, Choi Soon-sil, që t’u zhvasë parà kompanive të mëdha në këmbim të favoreve politike, duke shfrytëzuar lidhjet e saj me kreun e shtetit.

Ish-presidentja akuzohet gjithashtu se lejoi shoqen e saj të kishte qasje në dokumente të klasifikuara. Pas shpërthimi të skandalit, Parlamenti votoi për paditjen e Park dhe më pas Gjykata Kushtetuese e konfirmoi vendimin e Parlamentit, duke i hapur rrugën arrestimit të ish-presidentes.

Mediet koreano-jugore raportojnë se Park u mor në pyetje për 9 orë rresht të enjten, e më pas një gjykatë në Seul lëshoi mandatin e arrestit për të. Pak orë më vonë, në orët e para të së premtes (me orën lokale), policia u paraqit në banesën e Park, ku edhe e ndaloi.

Mes akuzave për ish-presidenten janë ato për korrupsion dhe abuzim me postin. Mësohet se 65-vjeçarja do të mbahet në burg deri në seancën e radhës gjyqësore. Agjencia e lajmeve koreano-jugore “Yonhap” raporton se Park është e treta udhëheqëse e shtetit që arrestohet për akuza kriminale.

Top Channel