Greqi, emigrantët fitojnë dëmshpërblim pas të shtënave në fermë

30/03/2017 00:00

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Greqinë për trajtimin çnjerëzor që iu bë 42 punonjësve në plantacionet e luleshtrydheve në qytezën Manolada, në Pyrgo të Peloponezit, gjatë vitit 2014.

Në një gjykim të paprecedentë për një vend europian, Gjykata e Strasburgut pranoi ankesën e punonjësve, të cilët raportuan shfrytëzimin e tyre çnjerëzor prej pronarëve të tyre, në kushte të vlerësura prej organizmave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të njëjta me ato të skllevërve afrikanë në Mesjetë.

Verdikti i gjykatës iu jep të drejtën 42 punonjësve të marrin nga shteti grek 500 mijë euro, ose nga 12 mijë deri në 16 mijë euro për dëmin e pësuar prej dhunës dhe presionit të pronarëve të tyre, për të punuar në këto plantacione.

Gjithashtu, gjykata ka dënuar Greqinë edhe me pagesën e shpenzimeve gjyqësore, me vlerë 4.5 milionë euro. Sipas akuzuesve, mijëra punonjës punonin në plantacionet e luleshtrydheve pa asnjë kusht, qoftë dhe minimal jetese.

Punonjësit ishin të ekspozuar ndaj fenomeneve natyrore dhe, në rast se ankoheshin, ndaj tyre ushtrohej dhunë verbale.

Në jo pak raste u raportuan edhe plagosje, ndërsa kulmi arriti në momentin që njëri prej pronarëve plagosi me armë zjarri disa punonjës pakistanezë. Ndryshe nga sa pritej, një gjykatë e la të lirë dhunuesin, gjë që shkaktoi reagimin masiv të punëtorëve. Pasuan përleshje nëpër rrugët e zonës, ndërsa policia u akuzua se mbajti anën e dhunuesve dhe jo të viktimave.

Punonjësit e shfrytëzuar akuzuan autoritetet shtetërore  se përkrahnin shfrytëzuesit e tyre, gjë që shkaktoi reagim të ashpër të organeve qëndrore greke në Athinë.

Ngjarjet e Manoladës shkaktuan edhe reagime ndërkombëtare, teksa mediet më të mëdha botërore publikuan video nga situata tragjike dhe shfrytëzimi ekstrem që iu bëhej punonjësve në plantacionet e luleshtrydheve në këtë zonë.

Ngjarjet në Manolada detyruan edhe supermarketet më të mëdha të Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane, të anulojnë importin e frutave nga kjo zonë, pasi klientët e tyre refuzonin të blinin luleshtrydhe greke, duke zeruar pothuajse eksportet greke të këtij fruti drejt Europës.

Ky është rasti i parë që një vend europian dënohet nga Gjykata e Strasburgut për shkelje të kushteve të punës dhe të të drejtave të punëtorëve. Dënime të ngjashme i janë dhënë Greqisë edhe për gjendjen në burgje dhe insitucionet e riedukimit.

Top Channel