Europa, 16 bileta në Botërorin “XXL”. Shpresë për Shqipërinë

30/03/2017 00:00

Në formatin aktual të Botërorit 2018, që do të vendosë ekipet e kualifikuara, kontinenti europian llogarit fituesit e grupeve dhe 4 vende të tjera, që do të dalin nga “play off”-et e të dytëve më të mirë, me njërin që nuk kualifikohet.

Kësaj i shtohet edhe Rusia, si shtet organizator. Por gjithçka do të ndryshojë me botërorin “XXL” të kërkuar me ngulm nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe të formalizuar para pak muajsh.

Qeveria e futbollit europian propozoi ndarjen e vendeve për finalistët, nga të cilët bie në sy se Europa rrit kuotat e saj nga 13 në 16 bileta për kombëtaret, praktikisht duke shtuar shpresat e përfaqësueseve të vogla si Shqipëria, që asnjëherë më parë në histori nuk kanë debutuar në turne të tillë.

Nën propozimin e bërë nga FIFA, që duhet të miratohet në muajin maj në Katar, 16 vende janë për kontinentin e vjetër dhe një biletë automatike për zonën e Oqeanisë, që asnjëherë nuk dilte triumfuese në “play-off”-in me më të fortët e Amerikës Latine.

Kontinenti afrikan do të ketë 9 vende për finalet e Botërorit; Azia do të ketë 8; Amerika e Jugut 6 vende; ndërsa Federata e Amerikës Qendrore po 6 bileta. Këto janë mes të tjerëve dhe numrat e shpërndarjes së FIFA-s.

Ata që evokonin zgjerimin e botërorit jepnin si shembull “Europianin 2016” me shtimin e spektaklit dhe disa ekipe surprizë të kualifikuara, mes të cilave dhe Shqipëria, e cila asnjëherë më parë nuk kishte prekur një destinacion të tillë. Tashmë, duke nisur nga viti 2026, kuqezinjtë mund të ëndërrojnë edhe për një botëror në versionin e festës transalpine të verës së kaluar.

Top Channel