Sulmi në Berlin, Gjermania shton deportimet e “agresorëve potencialë”

30/03/2017 00:00

Gjermania ka deportuar 10 “agresorë potencialë” që prej janarit, në vazhdën e një qasjeje më të ashpër kundrejt azilkërkuesve të refuzuar si dhe shtetasve të tjerë të huaj, të cilët konsiderohen si të rrezikshëm, njëri prej të cilëve vrau 12 persona në tregun e Krishtlindjes së Berlinit.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nxisin përshpejtimin e deportimit të atyre që u refuzohet azili, ndërsa punojnë njëkohësisht me Marokun, Tunizinë dhe vende të tjera për të përshpejtuar edhe procesin e riatdhesimit.

Tuniziani Anis Amri, një mbështetës i Shtetit Islamik, sulmoi tregun e Krishtlindjes në Berlin gjatë dhjetorit, pikërisht pasi iu refuzua kërkesa e azilit. Ai gjithsesi u qëllua për vdekje nga policia italiane pak ditë pas krimit të kryer në Gjermani.

Menjëherë pas atij incidenti, Qendra gjermane për Parandalimin e Terrorizmit (GTAZ) nisi rishikimin e rasteve të “agresorëve të tjerë potencialë” të ngjashëm me Amrin, thonë burime të shërbimeve të sigurisë. “Deri më tani janë deportuar 10 sulmues potencialë në përpjekjet e përbashkëta me shtetet gjermane që prekeshin prej tyre”, tha një zyrtar.

Ministria e Brendshme gjermane përllogarit se ekzistojnë mbi 600 islamikë me potencial rrezikshmërie të lartë në Gjermani, përfshi 250 që janë shtetas të vendeve të tjera por që nuk janë regjistruar si azilkërkues. Militantët e dyshuar janë kthyer mbrapsht kryesisht në vendet e Afrikës së Veriut.

Ndryshimi i kësaj qasjeje është rakorduar nga De Maiziere dhe ministri i Drejtësisë, Heiko Maas, gjatë një takimi të 10 janarit, ku që të dy ranë dakord se rasti “Amri” nuk duhej përsëritur kurrsesi. Në rastin e Anis Amri, një prej pengesave për deportimin fizik të tij ishte dështimi i Tunizisë për të lëshuar dokumente zëvendësuese identifikimi, pavarësisht ekzistencës së gjurmëve të gishtave dhe të duarve.

Gjatë këtij muaji, Kancelarja gjermane Angela Merkel siguroi premtimin e Tunizisë për të marrë mbrapsht 1.500 azilkërkues të refuzuar tunizianë, ndërsa vetëm ata që kanë pranuar të largohen vullnetarisht do të marrin ndihmat qeveritare. Gjermania i ka ofruar gjithashtu Tunizisë 250 milionë euro ndihma për zhvillim.

Merkel, e cila synon të marrë edhe mandatin e katërt si kancelare në shtator, është kritikuar ashpër për lejimin e mbi një milion refugjatëve të hynin në Gjermani gjatë dy viteve të kaluara. De Maiziere premtoi të martën se do të vazhdojë të nxisë ndryshimet legjislative, të cilat do ta bëjnë më të lehtë arrestimin dhe deportimin e agresorëve potencialë pas rastit të Amri. Një ligj i propozuar ishte edhe ai që kërkon përdorimin e mbikëqyrjes elektronike.

Top Channel