Ndërhyrja në zgjedhjet amerikane, Putin: Gënjeshtra dhe provokime

30/03/2017 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin i përshkroi akuzat, se vendi i tij ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, si të rreme, iluzione, provokime dhe gënjeshtra.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane, Putin tha:

“Veçse të më dëgjoni, më lexoni edhe buzët: Jo!”.

Ky koment i Putinit ishte mohimi më i qartë  i akuzave dhe gjithashtu hera e parë që ai shprehet për këtë çështje që kur Donald Trump mori detyrën në janar.

Sigurisht që shumë zyrtarë dhe zëdhënës rusë i kanë mohuar akuzat në të shkuarën, por Putin vet ishte rezervuar të fliste publikisht. Presidenti rus zhvlerësoi gjithashtu zhurmën që bëhet për një takim të Jared Kushner, dhëndrit të Trumpit, me Sergei Gorkov, kreun e Bankës shtetërore ruse të Zhvillimit.

Putin tha se bankierët amerikanë flasin gjithnjë me zyrtarët rusë dhe kjo nuk ka pse të ngjallë dyshime, pasi kështu bashkëpunohet. Udhëheqësi i Kremlinit theksoi se kjo klimë tensioni dhe akuzash duhet të marrë fund, pasi krizat e së shkuarës, duke kujtuar në veçanti atë të Kubës në vitet ’60, nuk i shërbejnë askujt.

Putin nuk harroi të shprehte gatishmërinë e tij për t’u takuar me presidentin Donald Trump, mbase që në kuadër të Samitit arktik në Finlandë, që do të zhvillohet në shtator.

Top Channel