Muri me Meksikën, larg nga projekti multinacionalët

30/03/2017 00:00

E mërkura e ardhshme është edhe afati i fundit për qindra kompani të interesuara për realizimin e premtimit kryesor të fushatës së Donald Trump, murit të madh në kufirin me Meksikën.

Kompanitë janë ftuar të paraqesin dokumentacionin dhe të detajojnë propozimet e tyre. Ky është hapi i parë në një proces që premton të kombinojë tre nga sipërmarrjet më të suksesshme të Trump, konkurset e bukurisë, emisionet “realit” dhe ksenofobinë. 1 nga 10 firmat e interesuara për ndërtimin e murit është një kompani latine. Pas raundit të parë eliminator, garuesit e mbetur do të takohen në San Diego të Kalifornisë, ku edhe do të ndërtojnë një prototip të projektit të tyre, që do të përdoret më pas nga qeveria për të testuar dhe vlerësuar karakteristikat e tij.

E ky është në fakt një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të qeverisë amerikane në dekada të tëra. Sidoqoftë, kompanitë e mëdha, korporatat multinacionale, kanë qëndruar larg këtij projekti, kjo edhe për shkak të politikës toksike që e rrethon atë.

Sipas një sondazhi të kryer në shkurt, 62% e amerikanëve kundërshtojnë ndërtimin e murit, ndërkohë që financimi i tij është i vështirë.

Top Channel