Diplomatja amerikane fshehu “kontaktet” me Kinën

30/03/2017 00:00

Një punonjëse veterane e Departamentit Amerikan të Shtetit, me akses në informacione të ndjeshme, është akuzuar se ka ndarë kontaktet e saj me agjentë të zbulimit kinez.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, një hetim kriminal thekson se 60-vjeçarja Kendis Meri Klejborn ka marë dhjetëra e mijëra dollarë dhurata. Ajo është akuzuar për pengim të një procedimi hetimor dhe për deklarata të rreme para FBI-së. Ajo u arrestua të martën, ndërsa në gjykatë, të mërkurën, u deklarua e pafajshme.

Kleiborn ka filluar punën në Departamentin e Shtetit në vitin 1999 dhe ka shërbyer në një numër misionesh të huaja, mes të cilave Iraku, Sudani dhe Kina. Ajo kishte akses në dokumenta sekrete dhe duhej të raportonte çdo kontakt të mundshëm me persona të lidhur me një agjenci të huaj zbulimi. Ajo akuzohet se ka marrë rreth 2500 dollarë nga një agjent kinez në vitin 2011 në këmbim të informacioneve mbi politikën ekonomike amerikane në marrëdhëniet me Kinën.

Dënimi maksimal me burg për një person që akuzohet për pengim të një procedimi hetimor është 20 vjet, ndërsa për deklarata të rreme para FBI-së dënimi maksimal është 5 vjet. 

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka bërë komente për rastin, por sidoqoftë, gjithçka ndodh para një takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij kinez Xi Jinping, javën e ardhshme.

Top Channel