SHBA, vonesa në financimin e murit të Trump me Meksikën

29/03/2017 00:00

Ndërtimi i murit të planifikuar nga presidenti Donald Trump në kufi me Meksikën mund të shtyhet pasi republikanët po mendojnë të ngrijnë fondet.

Senatori Roy Blunt deklaroi se paratë e parashikuara do të lihen jashtë draftit të shpenzimeve që pritet të miratohet më 28 prill, për të shmangur një “mbyllje” të pjesshme të qeverisë.

Deklaratat e tij vijnë pak pasi Trump kërkoi një fond shtesë për të financuar murin, të përfshirë në programin e shpenzimeve ushtarake. Por zoti Blunt tha se, kërkesa e presidentit Trump mund të ndërlikojë negociatat.

“Të gjitha komisionet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po punojnë së bashku për të finalizuar pjesën e mbetur të draftit “FY17””, deklaroi Blunt.

Ai u shpreh i bindur se gjërat mund të implementohen edhe pa fonde shtesë. “Me fondet shtesë mund të merremi në një moment tjetër”, shtoi senatori.

Trump kishte propozuar 1.5 miliard dollarë për murin e tij në Kongres, si pjesë të draftit të shpenzimeve që përfshin financimin e agjencive federale deri në fund të këtij viti fiskal.

Por demokratët kanë kërcënuar se do ta bllokojnë projektin nëse në draft përfshihen edhe paratë për murin e shumëdebatuar.

Top Channel